Lindita Nikolla në konferencë të jashtëzakonshme. Dorëhiqet dhe merr përgjegjësitë për gjithçka

Brenda pak ditëve paralelisht me rezistencën e palëkundur të studentëve, Edi Rama, po lëshon me shpejtësi çdo gjë të mundshme që do ti kthente protestuesit në shtëpi dhe shkolla. Që ditën e parë të protestës ministria e Arsimit, Lindita e Nikolla, u vetë-ofrua për të dhënë dorëheqjen por Rama duke shpresuar se do ta zgjidhte situatën shumë shpejt, refuzoi ta bënte “kurban”.

Por rezistenca e palëkundur e studentëve pasi provoi më kot përçarje, shantazh e blerje, duket se e ka detyruar që të lëshojë edhe Nikollën me shpresën se kjo do të mjaftojë.

Burime të sigurta të Syri.net pranë kryeministrit konfirmojnë, se sot në orën 18.00 Nikolla do të thërrasë një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, ku do të komunikojë dorëheqjen e parevokueshme.

Mësohet gjithashtu se ajo do të lexojë tekstin që i ka dhënë Rama nëpërmjet të cilit do të marrë përsipër gjithë dështimin e reformës në Arsim, si dhe degradimin në universitete dhe konviktet e studentëve.

Çështja është se studentët protestues me zgjuarsi, nuk e kanë kërkuar në asnjë moment dorëheqjen e ministres Nikolla, pavarësisht se akuzojnë si një nga përgjegjëset kryesore të qeverisë Rama, për situatën ku është katandisur arsimi i lartë shqiptarë dhe jo vetëm.

© SYRI.net

Miratohet rregullorja e Maturës 2019, Formulari A1 gati në 20 dhjetor 2018

maturante

Bëjeni Share që të informoni shokët: Share-512.png

Rregullat dhe afatet që duhet të zbatojnë të gjithë maturantët të cilët dëshirojnë të ndjekin studimet e larta në universitetet e vendit. Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit ministria e arsimit ka lënë më shumë kohë maturantëve për të thelluar njohuritë e tyre në degët ku do të marrin drejtimin, ndërkohë që këtë vit do të jetë vetëm një provim me zgjedhje, nga dy që kanë qenë gjatë viteve të kaluara

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ka firmosur vendimin për miratimin e rregullores së Maturës Shtetërore. Ky dokument përcakton afatet dhe procedurat që duhet të ndiqen për miratimin, publikimin e formularëve si dhe mënyrën e administrim të testeve dhe kryerjes së provimeve të maturës shtetërore. Ndryshe nga vitet e kaluara, kur maturantët duhet të jepnin 5 provime, këtë vit kanë 4, tre prej të cilave me detyrim dhe një me zgjedhje. Sipas rregullores së miratuar së fundmi, por edhe Programeve Orientuese të publikuara një muaj më parë, rezulton se këtë vit maturantët kanë më shumë kohë për t’u përgatitur për dhënien e provimeve.

Rregulloren e plotë e gjeni në linkun më poshtë – https://maturashteterore2016.wordpress.com/matura-shteterore-2019/

Formulari A1

Rregullorja e maturës që gjendet në urdhrin nr 780 të datës 23 nëntor 2018, parashikon edhe afatet për kryerjen e aplikimit dhe plotësimit të formularit, pranë shkollave ku çdo maturant vazhdon shkollën e mesme. Formularët A1 dhe A1Z do të miratohen brenda datës 20 dhjetor 2018, kurse publikimi i tyre do të jetë në datën 24 dhjetor në portalin e MASR-së dhe të QSHA-së. Udhëzuesi për plotësimin e formularëve A1 dhe A1Z nga maturantët do të jetë në portalin qeveritar E-Albania. Maturantët duhet ta bëjnë aplikimin online, fillimisht në portalin E-Albania nga 07-15 janar 2019 dhe më pas në portalin Matura Shtetërore, në datat 16 janar deri në 06 shkurt 2019, sipas kalendarit që do të përcaktohet nga QSHA. Brenda muajit shkurt 2019 do të përfundojnë të gjitha aplikimet, si dhe do të kryhen korrigjimet përkatëse në sistem.

Maturantët e vjetër

Rregullorja e këtij viti, duket se i ka të përcaktuara mirë edhe procedurat se si do të procedohet me individët që kanë mbaruar shkollën e mesme para 2019-ës dhe duan të aplikojnë në universitete. Kandidatët të cilët, në maturat shtetërore të viteve 2011-2018 rezultojnë kalues në një prej provimeve me zgjedhje dhe nuk janë pajisur me diplomën e maturës, duhet të pajisjen me to. Kurse për kandidatët të cilët kanë marrë një dëftesë pjekurie para vitit 2011 dhe dëshirojnë të aplikojnë për studime në institucionet e arsimit të lartë, u njihen provimet e detyruara dhe me zgjedhje, të njehsuara nga IAVOAP. Këta kandidatë në rastet kur nuk kanë dhënë provime me zgjedhje ose i kanë dhënë dhe nuk kanë rezultuar kalues, kanë të drejtë të japin një provim me zgjedhje kur e kanë të nevojshme, për plotësimin e kritereve të pranimit të përcaktuara nga institucionet e arsimit të lartë. Sa i takon kandidatëve të cilët kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2014, por nuk janë të pajisur me diplomë, nuk e japin provimin e gjuhës së huaj si provim të detyruar.

Rregullat e provimit

Maturanti paraqitet në qendrën e provimit, 1 orë e 30 minuta përpara fillimit të provimit. Në momentin e paraqitjes në mjediset e provimit, duhet të ketë dokumentin e identifikimit dhe mjetet e nevojshme si: laps e stilolaps, vizore, kompas, makinë të thjeshtë llogaritëse.

Kandidati plotëson testin me stilolaps me një ngjyre blu/të zezë. Në pyetjet me alternativa, maturanti/kandidat rrethon vetëm shkronjën përbri përgjigjes së saktë. Nëse kandidati rrethon më shumë se një alternativë, ose nuk rrethon asnjë alternativë, vlerësohet me 0 pikë. Maturantët e seksioneve dygjuhëshe shkollore vendosen në një mjedis nga QSHA, për shkak të monitorimit nga përfaqësitë përkatëse dhe në zbatim të marrëveshjeve dypalëshe.

Për maturantët me aftësi të kufizuara, me miratimin e prindërve, u krijohen kushte të përshtatshme për zhvillimin e provimit. Për ata që nuk mund të lexojnë apo shkruajnë, PAP-i autorizon një person jo të profilit, për plotësimin e testit sipas përgjigjeve të dhëna me gojë nga maturanti. Ndërkohë për maturantët e paraburgosur, u krijohen kushte të posaçme për dhënien e provimit, të shoqëruar nga forcat e policisë, të cilët duhet të jenë pa armë dhe uniformë.

Maturantët që dorëzojnë testin, firmosin për dorëzimin e tij në listën që disponon AP-ja. Kandidatët që dorëzojnë testin e provimit përpara kohës së përcaktuar, nuk mund të dalin nga qendra e provimit para kohës së përfundimit të provimit. Ata grumbullohen brenda qendrës së provimit, në një mjedis të përcaktuar më parë. Kur maturanti vëren ndonjë shkelje të rregullores së provimit, ai ka të drejtë të informojë AP-në, PAP-in dhe përfaqësuesit e MAS-it. Kandidati ka të drejtë të kërkojë fotokopjen e testit të tij pas përfundimit të të gjitha provimeve. Kërkesa me shkrim për fotokopjen e testit paraqitet në KSHMSH, e cila do t’i kthejë përgjigjen.

Përjashtimi

Maturanti përjashtohet nga provimi kur: Ndryshon vendin që i është caktuar; Merr, jep informacion apo kopje ose komunikon me maturantët e tjerë; Bën komente për përmbajtjen ose zgjidhjen e testit; Mban telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimi; Refuzon kontrollin nga ana e administratorëve gjatë hyrjes në qendrën e provimit.

Maturantit nuk i njihet rezultati:

  1. a) Nëse përdor laps apo stilolapsa me ngjyra jo si atë të përcaktuara ose përdor më shume se sa një ngjyrë në plotësimin e testit.
  2. b) Nëse ka hequr ose dëmtuar kodin e sekretimit të testit (bar-kodin).
  3. c) Nëse ka dëmtuar testin (palosur, zhubrosur, grisur, vendosur shenja të dallueshme dhe të veçanta), të evidentuara në procesverbal.
  4. d) Nëse vërtetohet kopja, e pjesshme ose e plotë, gjatë procesit të vlerësimit dhe konfirmohet nga KOPOTED-i.
  5. e) Nëse është marrë masa e përjashtimit nga provimi.

Mjediset e provimit

Mjediset ku do të zhvillohen provimet duhet të jenë të ajrosura dhe të ndriçuara. Të kenë të instaluara në vende të sigurta bllokuesit e valëve të telefonisë celulare, për të siguruar bllokimin e plotë të tyre. Të jenë të mjaftueshme për të paktën 50 maturantë, përveç rasteve të veçanta. Largësia ndërmjet çdo maturanti/kandidati të jetë jo më pak se 120 cm, në të katër drejtimet. Maturantët/kandidatët duhet të ulen me fytyrë në të njëjtin drejtim.

Sipërfaqja që maturanti/kandidati ka në dispozicion për të shkruar është të paktën 40×30 cm. Në ditën e provimit, në qendrat ku zhvillohet provimi, nuk parashikohen veprimtari të tjera. Në mjediset ku zhvillohet provimi, nuk duhet të ketë tabela ose materiale të tjera që kanë lidhje me lëndën që jepet provim. Çdo qendër që përzgjidhet për zhvillimin e provimeve, duhet të ketë komunikim me rrugët automobilistike.

Vlerësimi i testeve

AKP-ja shpall skemën e vlerësimit të testit, jo më vonë se tri orë pas përfundimit të çdo provimi të Maturës. Vlerësimi i përgjigjeve të maturantit bëhet me pikë, të cilat ekuivalentohen në notë të përshkallëzuar. Sa i takon personave të cilët do të kryejnë vlerësimin e testeve, duhet të plotësojnë një sërë kriteresh. Sipas rregullores kërkohet që këta persona të kenë arsimin përkatës në fushën ku do të kryejnë korrigjimet, të kenë më shumë se 5 vite punë në mësimdhënie në shkollë të mesme, në lëndën që do të korrigjojnë. Të jenë korrektë me punën dhe në vlerësimet e mëparshme të maturës shtetërore, të jenë vlerësuar me “mirë” ose “shumë mirë”, e po ashtu dhe në kualifikimin e fundit të mësuesve, si dhe të jenë të certifikuar si vlerësues dhe të mos kenë konflikt interesi.

Rregulloren e plotë e gjeni në linkun më poshtë – https://maturashteterore2016.wordpress.com/matura-shteterore-2019/

Bëjeni Share që të informoni shokët: Share-512.png

“Ndryshon Matura Shtetërore, në 2018-2019 vetëm 6 lëndë të detyruara”

Bëjeni Share që të informoni shokët: Share-512.png

Dorina Rapti, përgjegjëse pranë IZHA, tregon ndryshimet që do ketë në vitin e ardhshëm arsimor. Kurrikula e një lëndë të vetme zgjidhet nga nxënësi për të thelluar njohuritë në funksion të ndjekjes së studimeve në universitet

Dorina Rapti, përgjegjëse e Sektorit të Kualifikimit, pranë Institutit të Zhvillimit të Arsimit (IZHA) tregon për “Shekulli”-n ndryshimet që do ketë në tekstet e lëndëve për Maturën Shtetërore 2018-2019, të cilat do të jenë në përputhje me ndryshimet që parashikohen të bëhen për gjithë sistemin e organizmit të maturës 2019. Konkretisht, do të hartohet udhëzimi për lëndët me zgjedhje dhe trajnimi i mësuesve për klasat e 12-ta që orientojnë maturantët me programet e maturës 2019. Gjithashtu, Rapti tha se një ndryshim tjetër që do ndërmerret nga IZHA ka të bëjë me planin mësimor, ku klasat e 12-ta do të zhvillojnë vetëm 6 lëndë të detyruara dhe pjesën tjetër do ta plotësojnë me lëndët me zgjedhje, që dëshirojnë të studiojnë sipas preferencave të tyre. Ndërsa në lidhje me një shqetësim që kanë ngritur mësuesit dhe nxënësit për zbehjen e teksteve të matematikës, institucioni i IZHA-s, tha për “Shekulli”-n, se do të ndryshojë programi i kësaj lënde dhe për këtë do të angazhohet një grup pune, ku përfshihen edhe pedagogët e institucioneve të arsimit të lartë, që të jetë sa më i përshtatshëm për studentët në universitet.

Znj.Rapti, duke qenë se do bëhen ndryshime për Maturën Shtetërore të vitit të ardhshëm, si do të reflektohet ndryshimi edhe në programet e zhvillimit?

Për maturën e vitit shkollor 2018-2019 është duke u përgatitur e gjithë paketa e dokumentacionit nga Ministria e Arsimit dhe Instituti i Zhvillimit të Arsimit, e cila lidhet me: hartimin e udhëzuesit për mënyrën se si nxënësit do të zgjedhin lëndët me zgjedhje, hartimin e udhëzuesit në ndihmë të shkollave për organizimin e klasave për nxënësit e klasave të 12-ta, sipas lëndëve që ata kanë zgjedhur. Informacionin që nxënësit duhet të kenë në kohën e duhur për kriteret e ofruara nga institucionet e arsimit të lartë, hartimin e programeve orientuese të lëndëve të detyruara dhe provimit me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2019, si dhe me materiale të tjera që sigurojnë informacion të mjaftueshëm për nxënësit. Përgatitja e trajnimeve nga IZHA të mësuesve që do të japin mësim në klasat e 12-ta për zbatimin e programeve të lëndëve, si dhe për programet orientuese të provimeve të Maturës Shtetërore 2019.

Pse është menduar vetëm një lëndë me zgjedhje për maturën 2019?

Sipas planit mësimor nxënësit e klasave të 12-ta në vitin shkollor 2018-2019 do të zhvillojnë vetëm 6 lëndë të detyruara njësoj për të gjithë nxënësit, ndërkohë që pjesën tjetër të planit mësimor ata e plotësojnë me lëndët me zgjedhje që dëshirojnë të zhvillojnë sipas interesave të tyre. Në planin mësimor kurrikula me zgjedhje fokusohet në zgjedhjen e lëndëve që nuk zhvillohen në bërthamë. Niveli i një lënde me zgjedhje nënkupton njëherësh; trajtim të lëndës në nivel më të lartë vështirësie, zgjerim të përmbajtjes në krahasim me lëndën bërthamë, por përsëri me nivel më të lartë vështirësie se ai i lëndës bërthamë. Lëndë e re në një fushë të caktuar kurrikulare. Kurrikula me zgjedhje zgjidhet nga nxënësi për të plotësuar formimin e tij të përgjithshëm, të përmbyllë studimet ne arsimin e mesëm të lartë dhe në funksion të ndjekjes së studimeve në institucionet e arsimit të lartë.

Si do të jenë tekstet e provimeve për gjithë sistemin e Maturës Shtetërore për vitin e ardhshëm akademik?

Tekstet për çdo lëndë sipas planit mësimor, do të jenë në përputhje me programet e reja të klasës së 12 të miratuara nga Ministria e Arsimit. Lidhur me testet në maturën e vitit 2019 do të kemi 3 provime të detyruara që janë: Gjuhë Shqipe dhe Letërsi (të dyja lëndët në një provim) Matematikë (niveli bazë) Gjuhë e huaj e parë, si dhe do të ketë një provim me zgjedhje të cilën nxënësit e zgjedhin nga lista e lëndëve të përcaktuara e Udhëzimin e Maturës Shtetërore 2019.

Konkretisht cilat janë tekstet që do ndryshojnë dhe më çfarë arsyetimi do ta ndërmerrni një nisme të tillë?

Tekstet e klasës 12-të do të ndryshojnë për të gjitha lëndët, për shkak të programeve të reja dhe të ndryshuara që janë hartuar me kurrikulën bazuar në kompetenca. Siç besoj jeni në dijeni, që prej 4 vitesh në sistemin e arsimit para universitar po zbatohet kurrikula bazuar në kompetenca, e cila sjell si domosdoshmëri hartimin e teksteve të reja që ndihmojnë nxënësin për zhvillimin e këtyre kompetencave.

Ka pasur shumë ankesa nga mësuesit dhe nxënësit për tekstet e matematikës, të cilat janë zbehur dhe nuk janë në përputhshmëri me nivelin e nxënësve. Keni menduar të bëni ndryshime në tekstet e kësaj lëndë?

Sipas planit mësimor të gjimnazit me të cilën janë njohur të gjithë mësuesit edhe nxënësit, që në fillim të zbatimit të kësaj kurrikule, në klasën e 12-të nxënësit do të kenë mundësi të zgjedhin për të zhvilluar programin e lëndës së matematikës në nivelin bazë apo të zhvillojnë programin e lëndës së matematikës, e cila përveç nivelit bazë përmban edhe nivelin e avancuar. Ky program është hartuar nga grup pune, ku janë përfshirë edhe pedagogë te institucioneve te arsimit te larte dhe është i përshtatshëm për nxënësit që të vazhdojnë më tej studimet në arsimin e lartë. Sigurisht edhe tekstet në lëndën e matematikës do t’i referohen zbatimit të këtyre programeve. Përpos kësaj për nxënësit që kërkojnë të studiojnë edhe më shumë lëndën e matematikës, IZHA ka përgatitur modul kurrikular e cila përmban zgjerim edhe më shumë të tematikave të tjera në lëndën e matematikës. Nxënësit mund ta zgjedhin këtë modul kurrikular në kuadër të lëndëve me zgjedhje për të zgjeruar më tej dijet e tyre në këtë lëndë.

Nisma “3 në 6 orë”, i detyron nxënësit të keq ushqehen pranë pikave ambulante të shitjes

Ambulantët pranë shkollave janë një zgjidhje e detyruar për një pjesë të nxënësve të Elbasanit për të ngrënë gjatë kohës që qëndrojnë në Shkollë. Shpesh herë, kjo i ekspozon ata përballë rreziqeve shëndetësore, pasi produktet e shpejta që konsumojnë janë të ndjeshëm ndaj faktorëve të jashtëm. Rastet e helmimeve kanë qenë të shumta. Qyteti është përzgjedhur për zbatimin e projektit bëjmë detyrat në klasë ku përfshihet edhe ushqimi i kontrolluar, por zbatimi nuk ka nisur ndaj, nxënësit kanë dy alternativa: Buke me vete ose t’i drejtohen ambulantëve që qëndrojë pranë kangjellave.

Në lidhje me fenomen, i cili kërcënon shëndetin e fëmijëve ka reaguar kryeinspektori Aurel Kaja, i cili pasi ka konstatuar 30 raste aktivitetesh të paligjshme, paralajmëron një aksion për t’i dhënë fund abuzivitetit. “Janë konstatuar mbi 30 raste ku janë hapur objekte brenda shkollave që kryejnë aktivitet të paligjshëm”, shprehet Kaja. Ndërsa garantimi i cilësisë së ushqimit për nxënësit është një qëllim i shpallur tashmë i shumë institucione, por në shumë qytete duket se ende ka shumë punë për të bërë.

Udhëzimi, si ndryshon Matura Shtetërore 2018-2019

Sipas nenit 102 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë të neneve 26 dhe 51 të Ligjit Nr. 69 datë 21.06.2012 “për sistemin arsimor para universitar në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar: Lëndët e Provimeve të Maturës Shtetërore 2019 për shkollat e arsimit të mesëm të lartë të jenë; Provime të detyruara: Gjuhë shqipe dhe letërsi, Matematikë dhe Gjuhë e huaj dhe një provim me zgjedhje. Testi i gjuhës së huaj (D3) të hartohet në përputhje me gjuhën e cila në planin mësimor të arsimit të mesëm të lartë trajtohet si gjuhë e huaj e parë.

Testi i provimit të jetë në nivelin gjuhësor që përcaktohet në kurrikul në përfundim të arsimit të mesëm të lartë. Gjuha e huaj si provim i detyruar, përzgjidhet gjatë plotësimit të formularit A1/A1Z. Kandidatët e viteve të kaluara( të maturave shtetërore 2014, 2015, 2016, 2017 dhe 2018), që kanë rezultuar jo kalues në provimin D3, duhet ta rihapin këtë provim. Kandidatët e tjerë, (të maturave shtetërore para vitit 2014) që aplikojnë me A1Z, nuk do japin provimin e detyruar D3.

Provimi me zgjedhje

Lista e lëndëve të provimit me zgjedhje për shkollat e arsimit të mesëm dhe të lartë, do të jetë: Kimi, fizikë, biologji, histori, gjeografi, qytetari dhe psikologji, Ekonomi. Provimet e detyruara të mbështeten vetëm në kurrikulën bërthamë. Programet orientuese të provimeve të detyruara(gjuhë shqipe dhe letërsi, Matematikë, Gjuhë e huaj e parë) për të gjithë maturantët/kandidatët të jenë në përshtatje me programet ekzistuese të arsimit të mesëm të lartë.

Programet orientuese

Programet orientuese të lëndëve me zgjedhje janë të njëjta për të gjithë maturantët/kandidatët që plotësojnë formularin A1/A1Z.Programi orientues i lëndëve me zgjedhje përmban programin e lëndës bërthamë dhe atë me zgjedhje. Maturanti/kandidati zgjedh një lëndë nga lista e lëndëve me zgjedhje, pavarësisht nëse e ka zhvilluar ose jo, apo i është ofruar ose jo ajo lëndë nga shkolla. Kandidati që ka dhënë dy ose më shumë provime me zgjedhje dhe është vlerësuar me notë të përshkallëzuar jo më të vogël se 4.50(nota 5), i njihen ato provime dhe nuk mund t’i japë më. Kandidati, i cili rezulton mbetës në të paktën njërin prej provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore, duhet ta ri japë atë që të pajiset me diplomë. Kandidatët, që në maturat shtetërore 2013-18 kanë zgjedhur për të dhënë dy provime me zgjedhje dhe; kanë mbetur në të dy provimet, të japin vetëm një lëndë nga lista e lëndëve me zgjedhje të këtij udhëzimi; rezultojnë kalues në një prej tyre, të pajisen me diplomën e maturës.

Kandidatët që në Maturën Shtetërore 2012 kanë zgjedhur për të dhënë tre provime me zgjedhje dhe; kanë mbetur në dy ose tri provime, të japin vetëm një lëndë nga lista e lëndëve me zgjedhje të këtij udhëzimi; rezultojnë kalues në dy prej tyre, të pajisen me diplomën e maturës. Kandidatët të cilët kanë marrë dëftese pjekurie 2011 dhe dëshirojë të aplikojnë për studime në institucionet e arsimit të lartë, t’u njihen provimet e detyruara dhe me zgjedhje ose provimet e njëvlershme me to, të njësuara nga njësitë arsimore vendore. Këta kandidatë, në rastet kur kanë dhënë provime me zgjedhje ose i kanë dhënë dhe nuk kanë rezultuar kalues, kanë të drejtë të japin një provim me zgjedhje kur e kanë të nevojshme për plotësimin e kritereve të pranimit të përcaktuara nga institucionet e arsimit të lartë.

Mehmeti: Në listë mungojnë shumë lëndë të rëndësishme

Ndryshimet që janë ndërmarrë nga Ministria e Arsimit për Maturën Shtetërore 2018-19, kanë nxitur reagime te ekspertët e arsimit, të cilët konkludojnë në uljen e cilësisë për pranimet në universitet. Ndriçim Mehemeti, ekspert për arsimin para universitar tha për gazetën “Shekulli”, se në listën e lëndëve me zgjedhje mungojnë shumë lëndë të rëndësishme, si gjuha e huaj apo Teknologjia e Informacionit dhe e Komunikimit (TIK), të cilat kërkohen në treg. Ndërsa zgjedhja e një lëndë të vetme nga maturantët ul peshën e provimeve të Maturës Shtetërore, tha Mehmeti.

“Fakti që do të jepet vetëm një lëndë me zgjedhje, ul peshën dhe rëndësinë e provimeve te MSH. Po nxënësit që kanë dhënë dy provime me zgjedhje, çfarë përparësie do të kenë në krahasim me ata që do të japin vetëm 1 provim; Pika 6/a e udhëzimit ka një kundërshtim brenda saj: Në këtë pikë, udhëzimi shprehet se “kandidatët që kanë mbetur në dy ose tri provime të japin vetëm një lëndë nga lista e lëndëve me zgjedhje. Po nëse një kandidat është kalues në një provim nga tre provime që ka dhënë, përse duhet të japë edhe një tjetër, pasi në ketë mënyrë atij i bëhen dy provimeve me zgjedhje, kur ne të njëjtin udhëzim pika 2/1, flitet për një provim me zgjedhje. Lisat e lëndëve me zgjedhje është shumë e ngushte dhe kombinime të çuditshme lëndësh.

Lista e lëndëve me zgjedhje, çuditërisht nuk përfshin lëndë të tilla, si gjuhë të huaja apo TIK. Kjo e fundit është një nga kërkesat e tregut dhe maturanti nuk ka të drejtë ta zgjedh. Atëherë shtrohet pyetja se kriter për të shkuar në Inxhinieri elektronike, Informatike, TIK, do të jenë vetëm lëndët e  Kimisë, Biologjisë dhe Fizikës? Më duket se edhe në këtë rast ka një kontradikte të madhe. Po me nxënësit e Koreografisë dhe shkollave të muzikës si do të bëhet. Përse ata të mos kenë mundësi të japin provim si lëndë me zgjedhe lëndët e profesionit të tyre si: Histori Arti, Histori Muzike, Histori Baleti. Ajo çka përben një skandal në gjykimin tim, është fakti se provimet e MSH 2018 bëhen në një hark kohor mjaft të shkurtër nga data 4 deri në 20 qershor. Pra, maturantët do të kenë jo më shumë se 4 ditë për përgatitjen e provimeve, çka i fut në ankth dhe stres maturantët”, shprehet eksperti.

Bëjeni Share që të informoni shokët: Share-512.png

Regjistrimi në IAL Raundi 3, Shtesa – Tetor 2018

Bëjeni Share që të informoni shokët: Share-512.png

Kandidatët që nuk kanë arritur të aplikojnë në tre raundet (përfshirë këtu edhe ata që nuk kanë plotësuar formularin A1/A1Z), si dhe respektojnë kriterin e notës mesatare sipas vendimit nr. 216, datë 20.04.2018 të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e kriterit të notës mesatare për pranimin e kandidatëve në programet e studimeve të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë ose transferimin e studimeve në vitet e ndërmjetme të këtyre programeve, në institucionet e arsimit të lartë, për vitin akademik 2018–2019”, vijojnë me procedurat e regjistrimit pranë IAL-ve, jashtë portalit U-Albania.

9. Kandidatët aplikojnë pranë IAL-ve, në periudhën 29 tetor deri më 02 nëntor 2018.

10. IAL-të vijojnë me regjistrimin e kandidatëve deri në plotësimin e kuotave për programin përkatës të studimit.

Untitled design (1)

11. Regjistrimi i kandidatëve (që paraqiten personalisht ose nëpërmjet personit të autorizuar prej tij) kryhet pranë sekretarive mësimore në datat 05 nëntor deri më 07 nëntor 2018, sipas dokumentacionit të përcaktuar në këtë udhëzim.

12. Aplikantët dorëzojnë (personalisht ose nëpërmjet përfaqësuesit të autorizuar me prokurë nga ana e tyre), dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Dokumentin e identifikimit (kartë identiteti ose pasaportë). Në dosje mbahet vetëm fotokopja.
b) Fotokopjen e noterizuar të diplomës së Maturës Shtetërore ose të dëftesës së pjekurisë, së bashku me certifikatën e notave ose të një dëftese/diplome tjetër studimi të fituar jashtë vendit dhe të njësuar.
c) Deklaratën e paraqitur në shtojcën nr.1, bashkëlidhur këtij udhëzimi, e cila plotësohet nga aplikanti në prani të punonjëses së sekretarisë mësimore të IAL-së dhe që nënshkruhet nga aplikanti dhe nga punonjësja e sekretarisë.

13. Sekretaritë mësimore të fakulteteve të IAL-ve mbajnë regjistër të veçantë për dorëzimin e dokumentacionit, datën dhe orën e dorëzimit, si dhe nënshkrimin e aplikantëve të regjistruar. Në fund të procedurës, nga aplikanti dhe sekretarja firmoset në dy kopje formulari i regjistrimit, një prej të cilave i jepet aplikantit.

14. Institucionet e Arsimit të Lartë për arsye të numrit të ulët të studentëve të regjistruar në programe studimi të ciklit të parë, në programet e studimeve me karakter profesional, si dhe në programet e integruara të ciklit të dytë, për vitin akademik 2018-2019, me vendim të Senatit Akademik dhe të Bordit të Administrimit ndërpresin regjistrimin e mëtejshëm të studentëve në këto programe studimi. Studentët që janë regjistruar në ciklin e parë të studimeve, në programet e studimeve me karakter profesional, si dhe në programet e integruara të ciklit të dytë, për vitin akademik 2018-2019, në programet e studimit që është ndërprerë regjistrimi me vendim të Senatit Akademik dhe të Bordit të Administrimit, kanë të drejtë të transferojnë studimet brenda të njëjtit institucion të arsimit të lartë, në programe studimi të ngjashme.

15. Brenda datës 16 nëntor 2018, IAL-të përcjellin në QSHA regjistrimet përfundimtare në format elektronik dhe hardcopy.

Udhëzimi zyrtar ———> http://www.arsimi.gov.al/wp-content/uploads/2018/10/UDHEZIMI-NR.18-DT.-21.05.2018-I-AZHORNUAR.pdf

Bëjeni Share që të informoni shokët: Share-512.png

Aplikimi dhe Regjistrimi, Raundi i Tretë, MSH 2018

Bëjeni Share që të informoni shokët

Share-512.png

RAUNDI I TRETË

1. Gjatë periudhës 9 deri më 13 tetor 2018, IAL-të vijojnë me procedurat e regjistrimit të kandidatëve nëpërmjet portalit U-Albania, në programet e studimit në të cilat kanë aplikuar në raundin e dytë. Të drejtën e regjistrimit e kanë kandidatët që nuk rezultojnë të regjistruar në një program tjetër studimi. IAL-të gjatë
regjistrimeve respektojnë renditjen e kandidatëve deri në plotësimin e kuotave. Procedurat për regjistrimin e
kandidatëve përcaktohen nga njësitë kryesore të IAL-ve.

2. Në rast se përfundon e gjithë lista e kandidatëve që kanë aplikuar në raundin e dytë dhe mbeten kuota
të paplotësuara në programet përkatëse të studimit, njësitë bazë në institucionet e arsimit të lartë,
përzgjedhin kandidatët fitues sipas kërkesave të depozituara nga kandidatët që nuk rezultojnë të regjistruar në një program tjetër studimi, pavarësisht përzgjedhjeve në raundin e parë apo të dytë, në datat 15–18 tetor 2018. Kandidatët përzgjidhen dhe rankohen nga njësitë bazë dhe miratohen nga drejtuesi i njësisë kryesore, duke ngarkuar një kopje elektronike të këtyre listave në portalin U-Albania. Sekretaritë mësimore regjistrojnë kandidatët e miratuar nga drejtuesi i njësisë kryesore sipas renditjes deri në plotësimin e kuotave për programet përkatëse të studimit.

3. Regjistrimi i kandidatit sipas pikës 2, i cili paraqitet personalisht ose nëpërmjet personit të autorizuar prej tij kryhet pranë sekretarisë mësimore në datat 19–20 tetor 2018, nëpërmjet dokumentacionit të përcaktuar në këtë udhëzim.

4. Sekretaritë mësimore do të pranojnë dokumentacionin për të gjithë aplikantët fitues që dëshirojnë të regjistrohen vetëm në një program studimi. Pas marrjes së dokumentacionit nga aplikanti dhe regjistrimit të tij, sekretaria bën regjistrimin online në portalin U-Albania. Aplikantët dorëzojnë personalisht ose nëpërmjet
përfaqësuesit të autorizuar me prokurë nga ana e tyre, dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Dokumentin e identifikimit (kartë identiteti ose pasaportë). Në dosje mbahet vetëm fotokopja;
b) Fotokopjen e noterizuar të diplomës së Maturës Shtetërore ose të dëftesës së pjekurisë, së bashku me
certifikatën e notave ose të një dëftese/diplome tjetër studimi të fituar jashtë vendit dhe të njësuar në
MASR;
c) Deklaratën e paraqitur në shtojcën nr.1, bashkëlidhur këtij udhëzimi, e cila plotësohet nga aplikanti në prani të punonjëses së sekretarisë mësimore të IAL-së dhe që nënshkruhet nga aplikanti dhe nga punonjësja e sekretarisë.

5. Sekretaritë mësimore të fakulteteve të IAL-ve mbajnë regjistër të veçantë për dorëzimin e dokumentacionit, datën dhe orën e dorëzimit, si dhe nënshkrimin e aplikantëve të regjistruar. Pas nënshkrimit në regjistër, nga ana e sekretarisë mësimore, në prani të aplikantit kryhet regjistrimi online në
portalin U-Albania. Në fund të procedurës, nga aplikanti dhe sekretarja firmoset në dy kopje formulari i printuar nga sistemi, një prej të cilave i jepet aplikantit.

6. Brenda datës 29 tetor 2018, RASH-ja dhe IAL-të përcjellin në QSHA regjistrimet përfundimtare të raundit të tretë në format elektronik dhe hardcopy.

7. Aplikantët, të cilët kanë bërë regjistrimin me dokumentacion dhe kanë nënshkruar në regjistër, nuk
kanë të drejtë të ndryshojnë programin e studimit, për këtë vit akademik.

Bëjeni Share që të informoni shokët

Share-512.png

Matura 2019, një provim më pak; vitin tjetër vetëm një lëndë me zgjedhje

Bëjeni Share që të informoni shokët:Share-512.png

Ndryshon skema e Maturës Shtetërore për vitin shkollor 2019. Përmes një udhëzimi të firmosur më datë 14 shkurt të këtij viti, Ministria e Arsimit njofton se vitin që vjen, maturantët do të zhvillojnë vetëm 1 provim me zgjedhje, jo më 2, siç ka ndodhur që nga viti 2006, kur në sistemin e mesëm arsimor u aplikua për herë të parë testimi përmes parimit meritë-preferencë.

Pra, maturantët e vitit 2019 do të japin 2 provime të detyruara, njësoj si praktika klasike e maturës, që janë gjuha shqipe, letërsia dhe matematika dhe 1 provim me zgjedhje, që mund të jetë e ndryshme për çdo kandidatë.

Sipas këtij udhëzimi, lëndët me zgjedhje që mund të zgjedhë një maturant janë 8: Kimi; Biologji; Fizikë; Histori, Gjeografi; Qytetari, Filozofi, Sociologji dhe Ekonomi.

Për herë të parë, Ministria e Arsimit thotë se vitin e ardhshëm shkollor, maturanti ka të drejtë të zgjedhë cilëndo nga këto 8 lëndë, pra edhe nëse nuk e ka zhvilluar si lëndë gjatë 3 viteve të shkollës së mesme. Por, udhëzimi parashikon edhe një risi tjetër për ish maturantët. Kështu që ata që kishin ndër mend të testoheshin këtë vit, mund të presin vitin e ardhshëm, pasi mbetësit në 2 provime me zgjedhje, me udhëzimin e ri mund të japin vetëm 1 provim në 2019-n.

Edhe ata që kanë marrë notën 4 në 3 provime me zgjedhje, që kanë zgjedhur dikur, mund të japin vetëm 2 provime dhe të quhen kalues. Në çdo rast, në 2019-n kandidatët për student do të testohen për 1 provim më pak.

Ndërkohë, Ministria e Arsimit ka gati edhe udhëzimin për datat e provimeve të maturës shtetërore për këtë vit. Gjuha shqipe dhe Letërsia do të zhvillohen në 8 qershor; matematika më 13 qershor; gjuha e huaj më 4 qershor dhe 2 provimet me zgjedhje më 20 qershor.

Pra, ky do të jetë viti i fundit kur matura shtetërore zhvillohet me 5 provime.

Bëjeni Share që të informoni shokët:Share-512.png